Mëso të heshtësh
Një reflektim shpirtëror sqaron kur heshtja bëhet virtyt dhe si dallohet çasti i duhur për të folur ose për të heshtur.
Në marrëdhëniet tona me njerëzit e afërt, ndonjëherë ndiejmë se është më mirë të heshtim sesa të flasim. Sidomos kur bashkëbiseduesit tanë janë të tensionuar, të lodhur, të trishtuar apo edhe të zemëruar. Në ato çaste të vështira kuptojmë se fjalët tona mund ta bëjnë problemin edhe më të madh. Prandaj zgjedhim heshtjen. Veçanërisht kur e kuptojmë se nuk do të fitojmë asgjë nga ato që do të themi, ose se heshtja jonë do të ndikojë tek tjetri më shumë sesa fjalët tona. Siç thuhet në librin e Urtësisë së Sirakut: «Ka raste kur qortimi nuk sjell dobi; ndonjëherë është më e urtë dhe më e parapëlqyeshme që njeriu të mos flasë, por të heshtë».¹
Atëherë, a duhet të heshtim? Po, por jo sepse nuk kemi çfarë të themi, por sepse duhet të dallojmë se kur është çasti i përshtatshëm për të folur.² Shumë njerëz dinë të heshtin, por e bëjnë këtë për arsye të tjera. Disa heshtin sepse e përçmojnë tjetrin dhe nuk i flasin. Të tjerë heshtin kur e kuptojnë se do ta humbasin debatin, sepse nuk kanë argumente. Ndërsa disa të tjerë heshtin sepse nuk duan ta lëndojnë vëllanë e tyre. Prandaj, heshtja jonë nuk duhet të jetë manipuluese, diplomatike apo një heshtje që tradhton një egoizëm të plagosur. Heshtja jonë duhet të jetë e përulur, plot dashuri, e pëlqyeshme për Perëndinë dhe me frymë lutjeje. Nuk duhet të heshtim duke e acaruar bashkëbiseduesin tonë, por, përkundrazi, ta bëjmë të prirur pozitivisht ndaj nesh dhe ta fitojmë zemrën e tij me zemërgjerësinë që nuk mban mëri dhe me durimin tonë.
Arti i heshtjes është më i lartë se arti i të folurit. Heshtja jonë ka një vlerë të veçantë kur heshtim për t'i pëlqyer Perëndisë. Kur të tjerët na flasin me përçmim, na fyejnë, na përqeshin apo na trajtojnë padrejtësisht dhe ne i durojmë të gjitha këto me përulësi, pa nxjerrë nga goja qoftë edhe një fjalë të keqe kundër atij që sillet me ne në mënyrë agresive. Në këtë mënyrë nuk e acarojmë bashkëbiseduesin tonë dhe, njëkohësisht, e mbrojmë zemrën tonë nga pasioni i zemërimit. Është diçka shumë e madhe të jemi në gjendje t'i përballojmë ata që na flasin keq me heshtje, me frymë pajtuese dhe me durim të gjatë. Kjo heshtje nuk është shenjë dobësie. Dobësi është të përpiqemi të mbrohemi duke radhitur një mori argumentesh, ndonjëherë me tension dhe nervozizëm, madje duke u përfshirë në grindje fjalësh.
Njeriu që di të heshtë kur duhet dhe të tregojë durim e butësi, jo vetëm përparon në virtyt, por bëhet edhe i dashur për të tjerët. Siç thotë autori i urtë i Fjalëve të Urta: «Ai që e përmban gjuhën e tij do të mbushet me Hirin e Shpirtit të Shenjtë, sepse shmang shumë mëkate dhe, njëkohësisht, ndërton shpirtërisht edhe të tjerët».³ Shën Nikodhim Agjioriti shpjegon se «heshtja është një ndihmë e mrekullueshme për ushtrimin në virtyte dhe, për këtë arsye, është shenjë urtësie; njëkohësisht, ajo është edhe një forcim i madh në luftën e padukshme, me shpresën e fitores së sigurt».
Sigurisht, heshtja nuk është e përshtatshme në çdo rrethanë. Siç thotë Predikuesi i urtë: «Ka një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur»;⁴ domethënë, ka një kohë kur duhet të heshtim dhe një kohë kur duhet të flasim. Sepse ka raste kur heshtja sjell më shumë dobi sesa fjalët, por ka edhe raste kur fjalët sjellin më shumë dobi sesa heshtja. Megjithatë, nevojitet një aftësi e madhe dalluese për të kuptuar se kur duhet të flasim dhe kur duhet të heshtim. Në këtë çështje, Mësuesi ynë i madh është vetë Zoti, i Cili herë mësonte me fjalën e Tij dhe herë me heshtjen e Tij. Herë hapte gojën për të folur dhe herë i linte veprat e Tij të flisnin.⁵ Kështu, Ai na mësoi se ka raste kur duhet të heshtim dhe t'i durojmë me butësi fjalët e këqija ose padrejtësitë, në mënyrë që edhe ne të përfitojmë shpirtërisht, ndërsa ata që na fyejnë t'i bëjmë të turpërohen edhe më tepër.⁶ Të Premten e Madhe, vetë Ai, si përpara Sinedrit, ashtu edhe përpara Pilatit, në shumicën e rasteve heshti përballë akuzave që lëshonin kundër Tij. Edhe me këtë na mëson që të mos i qortojmë gjithmonë ata që sillen si armiq ndaj nesh, por të mësojmë t'i durojmë me butësi dhe zemërgjerësi.⁷
Sigurisht, nuk është e lehtë të dallojmë se kur duhet të flasim dhe kur duhet të heshtim. Prandaj, le t'i kërkojmë Perëndisë të na ndriçojë. Ai na udhëzoftë në çastet e vështira, në mënyrë që, qoftë kur flasim, qoftë kur heshtim, t'i ndërtojmë shpirtërisht njerëzit që kemi rreth nesh dhe ta ruajmë shpirtin tonë në paqe.
Në të njëjtin kontekst shpirtëror, UGO kishte trajtuar edhe temën e gjuhës dhe të heshtjes që ruan shpirtin nga fjalët e dëmshme.
Shënime
- Urtësia e Sirakut 20:1.
- Urtësia e Sirakut 20:6.
- Fjalët e Urta 15:4.
- Predikuesi 3:7.
- Shën Joan Gojarti, Mbi Mateun, Homilia XV, 1, EPE 9, 463.
- Shën Joan Gojarti, Mbi Letrën e Parë drejtuar Korintasve, Homilia XIII, 2, EPE 18, 361.
- Shën Joan Gojarti, Mbi Joanin, Homilia LXI, 1, EPE 14, 155.